“Hapësira
e një ëndrre” ishte e para ëndërr e realizuar, që 15 vite më parë e bëri Alban
Skënderajn pjesë të muzikës shqiptare. Sa shumë ëndrra do të pasonin me radhë,
prandaj ia vlente që pas kaq vitesh të realizohej një koncert që përmblidhte të
gjithë pasurinë artistike të Albanit.
Madje
aq shumë i dëshiruar ishte koncerti “Hapësira e një ëndrre”, sa brenda një ore
arritën të shiteshin të gjitha biletat dhe të shtoheshin dhe dy netë të tjera
live. Pavarësisht se çdo këngë ishte sjellë në një version të ri, me ndihmën e
orkestrës simfonike të RTSH-së, publiku arriti që thjesht nga fraza e parë të
kuptonte se për cilën bëhej fjalë. Aq më tepër që këngët e Albanit janë të
thjeshta, sepse duket sikur të lexojnë çdo emocion që mban brenda shpirti. Ka
shumë artistë që gjejnë justifikimin të thonë se sot nuk ka publik për të
dëgjuar muzikë të vërtetë, por Albani vërtetoi të kundërtën.